Limaj: Nuk i pranoj deshmite e Thacit dhe Veselit

Fatmir Limaj ka kërkuar të hënën që dëshmitë e kryeministrit Hashim Thaçi lidhur me ngjarjet në Kleçkë të shpallen të papranueshme. Të papranueshme i ka konsideruar edhe dëshmitë e ish-shokëve tjerë të luftës që nga Ramë Buja e deri te Kadri Veseli.

Parashtresën që ka bërë me avokatin e tij, Tahir Rrecaj, në bazë të nenit 154 paragrafi 1 dhe 2 të Kodit të Procedurës penale për shpalljen e provave të papranueshme dhe veçimin nga shkresat e lëndës dëshmitë e 46 dëshmitarëve, një pjesë e madhe e të cilëve kanë dhënë nga dy e tri dëshmi, Limaj e ka quajtur “zemër të kundërshtimit”.

“I nderuar hirësi, zemra e kësaj parashtrese është që mbrojtja pyetet dhe kërkon përgjigje se a ka pasur të drejtë prokurori të bëjë hetime pas konfirmimit të aktakuzës? A ka pasur autorizim nga trupi gjykues për vazhdimin e hetimeve? A ka vepruar prokuroria ligjërisht kur u është ofruar dëshmitarëve të mbrojtjes dhe pa autorizimin e trupit gjykues?”, ka shtruar një seri pyetjesh Limaj në seancën që është mbajtur në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.

Follow Us
Find us on Facebook