Në kohën kur gjithnjë e më shumë po shtohet presioni për negociata të reja ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe, kryeministri serb, Ivica Daçiq edhe zyrtarisht ka riaktualizuar idenë për ndarje të Kosovës. Por, autoritetet në Prishtinë tërheqin vërejtjen se logjika e ndarjes nuk do të përfundonte vetëm me Kosovën, por do të prekte edhe vendet tjera dhe se idetë e tilla janë të rrezikshme për stabilitetin e rajonit.
Megjithatë, shantazhet dhe obstruksionet e shtetit serb në prag të bisedimeve të reja nuk ndalen vetëm me shpërfaqjen e pretendimeve për Kosovën, por së fundi Beogradi ka shuar shpresat se do t’i zbatojë marrëveshjet e arritura në Bruksel, derisa Kosova insiston se parakusht thelbësor i dialogut është implementimi i konkluzave të arritura në kryeqytetin evropian.
Deklarata zyrtare e kreut të qeverisë serbe, Ivica Daçiq se “ndarja e Kosovës është zgjidhja e vetme reale” shihet në Prishtinë, si një dëshmi se pushteti i atjeshëm serb synon të veprojë me logjikën e luftës për territore.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi hedh poshtë idetë për ndarje, duke theksuar se “logjika e ndarjes nuk do të përfundonte vetëm me Kosovën, por kjo do të prekte edhe vendet tjera”. Sipas tij, idetë e tilla për ndarje janë të rrezikshme për stabilitetin rajonal.
Edhe opozita në Kosovë gjithashtu idenë për ndarje territoriale e quan hegjemoniste që dëshmon logjikën e luftës për territore. “Idetë për ndarje janë totalisht të papranueshme”, ka thënë shkurt sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri. E ndërkaq, Burim Ramadani i AAK-së tërheq vërejtjen se çështja e territoreve është kapitull i mbyllur që nuk do të hapet asnjëherë
