Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksander Vucic, njëherësh ministër i Punëve të Brendshme, ka shfaqur shpresën se vendi i tij do të marrë datën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian kah mesi i vitit 2013.
Zyrari serb, në një takim me gazetarët në Beograd, ka pranuar se Kosova është kushti i parë për aspiratat evropiane të Serbisë. “Nëse më pyesni se cili do të jetë kushti kryesor për datën e fillimit të negociatave – do të jetë ajo që për ta ka më shumë rëndësi – Kosova, dhe mënyra se si do t’i zgjidhim problemet, sidomos në veri të Kosovës”,- ka thënë Vucic, raporton RFE.
Ditë më parë, zyrtarë gjermanë kanë kërkuar nga Serbia që të lidhë kontratë me Kosovën për vendosjen e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore.
Zëvendëskryeministri serb ka thënë se kushte të tjera për Serbinë janë edhe çështja e terrorizmit ndërkufitar, çështja e Islamit radikal, ashtu si edhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Nuk do të na lejojnë as t’i afrohemi BE-së pa krijimin e sistemeve dhe mekanizmave për luftë të ashpër kundër korrupsionit”,- ka thënë Vucic. (Telegrafi)
