Ekonomia e Maqedonisë edhe zyrtarisht është zhytur në recesion, bëri të ditur Enti shtetëror i statistikave. Prodhimi bruto vendor në tremujorin e dytë të vitit ka shënuar rënie prej 0,9%, kurse në tre muajt e parë të këtij viti po ashtu shënoi rënie për 1,4%. Mirëpo edhe përkundër këtyre zhvillimeve negative në ekonomi, ministri i Financave, Zoran Stavrevski thotë se qeveria është përgatitur paraprakisht për recesionin.
”Informata që e publikoi Enti shtetëror për statistikë për tremujorin e dytë të vitit ishte në e pritur dhe paraprakisht e paralajmëruar. Ne kemi ndërmarrë masa me të cilat kemi intervenuar në disa sfera. Me rishikimin në maj dhe qershor e adaptuam buxhetin, i mbajtëm investimet kapitale në nivel të lartë me qëllim që përmes tyre të ndikojmë në drejtim të përkrahjes së ekonomisë dhe me kohë të sigurojmë dy linja kreditore, para se të publikohen këto të dhëna. Tani presim efektet nga dy masat të ndërmarra - njëra e cila parashikon 100 milionë euro për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe tjetra me të cilën janë siguruar 11 milionë euro për ndërmarrjet bujqësore”,- u shpreh ai.
Sipas entit të statistikave, ulje më e madhe është shënuar në xehetari, industrinë përpunuese dhe furnizimin me energji elektrike si dhe në sektorët e ndërtimtarisë dhe trafikut. Ekspertët ekonomikë kanë kërkuar nga Qeveria që të ndërpresë shpenzimet e mëdha joproduktive dhe të shlyejë sa më shpejt borxhin ndaj kompanive. Sindikatat dhe organizatat e punëdhënësve paralajmërojnë se si pasojë e recesionit dhjetëra mijëra të punësuar mund të humbin vendet e tyre të punës. Sipas disa përllogaritjeve, vetëm në sektorin e ndërtimtarisë pa punë mund të mbeten mbi 70.000 punëtorë.
