Ndonëse pa leje të Qeverisë së Republikës së Kosovës, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Alleksandër Vullin, pas Zveçanit, ku kishte marrë pjesë në një mbledhje të një të ashtuquajturi Kuvendi i katër komunave veriore të Kosovës, të premtën, ia kishte mësyrë Zubin Potokut, të shtunën.
Drejtorit të Zyrës për Kosovën, as që i kishte lënë përshtypje pezullimi nga puna i ushtruesit të detyrës së komandantit të Policisë në Zveçan, Dejan Vidojevic, i cili nuk e kishte zbatuar urdhërin për ndalimin e hyrjes së Vulinit në Kosovë. Madje, as edhe me një fjalë të vetme nuk e ka përmendur rastin e Vidojevicit.
Pasi që natën e kishte bërë në Zveçan, të shtunën, pa u penguar nga askush, sikur të shëtiste nëpër bahçe të babës, Vullin paraprakisht ka vizituar familjen Lepoviq në Zubin Potok, kryefamiljare e të cilës është një shqiptare nga Shkodra, e cila ishte martuar në fshatin Kolludër të kësaj komune serbe, për një serb, Vukadin Lepovic.
Por, pas një kohe, bashkëshorti i saj kishte vdekur, ndërsa ajo kishte vazhduar të jetojë me djalin nga martesa me Vukadinin, Alleksandrin, në një pjesë të shtëpisë, të cilën ia kishte lëshuar kunati i saj në Zubin Potok. “Nuk mendoj të kthehem në Shqipëri, atje prej nga kam ardhur dhe ku i kam familjarët e mi, sepse bashkëshorti im i ndjerë, Vukadini, nuk do të dëshironte që djali i tij të rritej në vendin e huaj, pranë njerëzve që nuk i njeh”,- i ka thënë Drita, shqiptarja nga Shkodra, Vullinit.
Me një serbishte të keqe, Drita ka falënderuar edhe kunatin e saj, që ia ka lëshuar një pjesë të shtëpisë së tij dhe ia ka bërë të mundur që të jetojë në qytet. Në anën tjetër, Vullin, ka premtuar se shtetit i Serbisë do t’u ndihmojë të gjithë atyre që jetojnë në Kosovë, sepse siç tha ai, të gjithë ata që jetojnë në Kosovë meritojnë të ndihmohen. (Zeri)
